Reth nesh

Posta e Kosovës është ndërmarrje publike në pronësi të shtetit të Kosovës, me aksionar 100% Qeverinë e Republikës së Kosovës, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Me një rrjet prej 158 zyrash postare, Posta ofron shërbime postare dhe financiare në të gjitha regjionet, komunat dhe vendbanimet e thella të vendit, duke qenë një ndër institucionet më të afërta me qytetarët

Historiku i ndërmarrjes

Shërbimi postar në Kosovë ka histori që nga viti 1959, me themelimin e PTT-së (Posta, Telefoni dhe Telegrafi). Ky sistem funksionoi deri në vitet ’90, kur pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, pushteti serb largoi me dhunë punonjësit shqiptarë nga çdo institucion publik, përfshirë edhe postën.

Pas çlirimit të Kosovës, më 2 gusht 1999, punonjësit e dëbuar u rikthyen në vendet e tyre të punës, duke shënuar fillimin e një etape të re për ndërmarrjen. Me vullnet të pathyeshëm dhe të mbështetur në Rregulloren e UNMIK-ut nr. 12/99, ata u angazhuan në rimëkëmbjen e postës.

Në kushtet e vështira të pasluftës, u ngrit infrastruktura e domosdoshme për funksionim: u improvizuan zyra postare, u siguruan thasët dhe vulat postare, pullat, çmimorja e shërbimeve (edhe për vendet fqinje), formularët dhe kodi aero-postar, të gjitha të aprovuara nga Unioni Postal Universal (UPU).

Më 31 maj 2000, Kosova themeloi Postën e Pavarur Ndërkombëtare, duke u bërë pjesë e rrjetit global të shkëmbimit postar. U formua edhe Zyra Këmbyese Ndërkombëtare Prishtina LC/AO dhe CP, e cila plotësoi kriteret e UPU-së dhe i mundësoi Kosovës dërgimin e shërbimeve postare në të gjithë botën.

Më 1 korrik 2005, PTK-ja u shndërrua në korporatë (PTK Sh.A.), ku Posta e Kosovës funksiononte si njësi biznesi. Procesi i konsolidimit vazhdoi dhe më 21 maj 2012 Posta u regjistrua si Shoqëri Aksionare, ndërsa me vendim të Kuvendit të Kosovës, nga 1 gushti 2012, ajo funksionon si entitet i pavarur, i ndarë nga PTK-ja.