Letrat e porositura rekomande (“R”) – janë letra që nga dërguesi, përmes një takse të posaçme dhe etiketës “Rekomande” me numër përkatës, iu sigurohet trajtim i veçantë përmes regjistrimit, që nga pranimi, përcjellja për në destinacion e deri te dorëzimi, përmes nënshkrimit të marrësit të caktuar, si dhe gjurmimit në çdo kohë.

Letrat gjyqësore, kundërvajtëse dhe administrative – janë letërdërgesat gjyqësore, kundërvajtëse dhe administrative – që përcillen përmes zarfeve të kaltër apo të bardhë me fletëkthesën e ngjitur për zarfe (formularë që përdoren nga këto institucione dhe për kërkesat e tyre).

Letra administrative

Letrat administrative janë dërgesa të regjistruara ( me shërbim të veçantë ’’E POROSITUR/REKOMANDE (R)  me të cilët punëdhënësit u japin vendime punonjësve, në zarfe të veçanta dhe në përputhje me dispozitat e ligjit që rregullon marrëdhënien e punës.

Letra administrative nga ana e adresës, përveç adresës së marrësit, kanë shenjën: “letër administrative“, e cila tregon një mënyrë të veçantë të trajtimit të letrës. Gjatë dorëzimit të letrave/dërgesave administrative, veprohet në përputhje me ligjin që rregullon dorëzimin e letrave/dërgesave në procedurat civile.

Shërbimi ‘’Urgjent’’ ose “Express” – mund të zbatohet te çdo lloj dërgese, duke u siguruar atyre përparësi krahasuar me dërgesat e rëndomta në fazën e shpërndarjes dhe dorëzimit.

Dërgesat me vlerë të deklaruar “VD” – janë dërgesat, për të cilat deklarohet vlera e dërgesës sipas mënyrës së paraparë me rregulloren e shërbimeve postare. Dërgesat me vlerë të deklaruar duhet të futen në zarf apo në ambalazh të përshtatshëm (i patejdukshëm), që ta sigurojë përmbajtjen nga dëmtimet eventuale gjatë transportit dhe përpunimit.

Mbi dërgesën postare me vlerë të deklaruar, në shërbimin e brendshëm përdoren etiketat vetëngjitëse siguruese postare “V” (vlera e deklaruar), që përmban emrin e zyrës pranuese dhe numrin e dërgesës postare me vlerë të deklaruar, si dhe peshën e saktë në gram të vendosur në anën e majtë të sipërme të faqes së adresës së marrësit.

Shuma e vlerës së deklaruar për letra e dokumente që përfaqësojnë një vlerë për shkak të ribërjes së tyre nuk mund të tejkalojë shpenzimet eventuale të këtyre dokumenteve në rast humbjeje. Përmbajtja e letrës me vlerë duhet t’i përgjigjet vlerës reale të deklaruar.

Dërgesat me vlerë të deklaruar duhet ta kenë vlerën prej së paku 10 € dhe jo më shumë se 1000 €.

Vlera e deklaruar duhet detyrimisht t’i përgjigjet vlerës reale të dërgesës.

Paraqesin dërgesat me shërbim të posaçëm, për të cilat marrësi, me rastin e tërheqjes së dërgesës nga zyrat postare, apo dorëzimit në terren marrësi obligohet ta paguajë shumën e ngarkuar në dobi të dërguesit.

Pasojat e mos deklarimit të vlerës reale janë përgjegjësi e dërguesit.

Kur dërguesi kërkon që kundërpagesa t’i kalohet në llogarinë e tij bankare të plotësuar, ai është i detyruar të deklarojë xhirollogarinë dhe bankën përkatëse. Tarifat e pranimit të dërgesës postare me kundërpagesë arkëtohen nga marrësit e dërgesave.

Dërgesave me këtë shërbim duhet t’iu vihet etiketa me shenjën e kundërpagesës “Kun.Pag.”.

Dërgesat me lajmërim marrje “L M” në trafikun vendor dhe ‘’A.R’’ në trafikun ndërkombëtar – konsiderohen ato dërgesa, që përcillen nga personat fizikë apo subjektet juridike në zarfe të ndryshme me fletëkthimin e bashkangjitur, që dërguesi e merr dhe e plotëson në zyrën postare, meqë përmes fletëkthimit i cili i kthehet si dëshmi që dërgesa i është dorëzuar marrësit.

Dërgesat postare me prioritet – transportohen me rrugët më të shpejta dhe trajtohen me prioritet ndaj dërgesave tjera. Këto dërgesa postare duhet të kenë të vendosur etiketë të veçantë me ngjyrë të kaltër me mbishkrimin ’’Prioritaire / Par Avion   /Me  Aeroplan’’

Dërgesat që ruhen në postë “POSTË RESTANTE” (qëndrojnë në Postë në afat prej 30 ditësh) – duhet të kenë të shënuar në anën e përparme dhe me shkronja të dukshme shënimin “Qëndron në Postë” ose “Poste Restante”.

Marrësit e këtyre dërgesave duhet të jenë që më parë të njoftuar nga dërguesit, në mënyrë që të paraqiten në postë (“Poste restante”) për të tërhequr dërgesën brenda aftit të përcaktuar.

Dërgesa postare me shënimin “Poste restante” ose “Qëndron në Postë” i dorëzohet marrësit pasi të bëhet verifikimi i identitetit të tij. Kur dërgesa postare nuk tërhiqet brenda këtij afati, ajo i kthehet dërguesit. Si dërgesa “Poste restante” nuk mund të pranohen dërgesat urgjente (Express, Gjyqësore dhe Administrative).

Dërgesat postare që kërkohen nga dërguesi për t’iu dorëzuar personalisht në dorë vetëm marrësit, ose personit ligjor të autorizuar nga ai, dërgesat e tilla mund të jenë dërgesa postare të porositura, me vlerë të deklaruar ose me kundërpagesë.

Mbi këto dërgesa postare, në faqen e adresës të marrësit duhet të ketë të shënuar me shkronja të dukshme shënimin; ‘T’I DORËZOHET PERSONALISHT MARRËSIT’, për brenda vendit, dhe shënimin; ‘A REMETRE A MAIN PROPRE’, për dërgesat postare për trafikun ndërkombëtar.

Dërgesat Expres Vendor

Shërbimi Expres Vendor është shërbimi më i shpejtë ndër të gjitha shërbimet postare, që nënkupton grumbullimin, përpunimin, bartjen dhe shpërndarjen e shpejtë të postës së letrave deri 2kg dhe koli-postës deri në 30 kg

Ky shërbim ofrohet në çdo sportel të Postës së Kosovës, si dhe përmes kontratave të veçanta me dërguesit, duke siguruar cilësi të lartë në shpejtësi dhe siguri të dorëzimit të dërgesave.

Në komunikacionin e brendshëm postar mund të pranohen tri kategori të dërgesave me shërbim Expres vendor me afate të garantuara të dorëzimit, si më poshtë:                      

  • Super Expres – Dorëzim brenda 3 orëve
  • Brenda dites – Dorëzim brenda ditës
  • Të nesërmen , me se largu deri ne ora 12h

Shërbimi i shpejtë postar – Expres Vendor ofrohet për të gjitha dokumentet për verifikim me Vula Apostile nga Institucionet e Republikës së Kosovës, si: ARC (MPB), DÇK (MPJD), Arkivat e Kosovës dhe Institucionet tjera ku qytetarët kanë nevojë për verifikim të dokumenteve të ndryshme.

 

SHËRBIMI I SHPEJTË POSTAR DËRGESAT EMS NË KOMUNIKACIONIN NDËRKOMBËTAR

Afatet e dorëzimit të:

  • Për shtetet fqinje dhe Evropë: D+2 deri në 4 ditë
  • Për jashtë Evropës: D+5 deri në 7 ditë

Detaje të hollësishme për shërbimin EMS

  • Dërgesat EMS pranohen si për mallra, ashtu edhe për dokumente; pesha maksimale nuk guxon të kalojë 20 kg.
  • Përmes sistemit TRACK & TRACE ofrohet gjurmim direkt i dërgesave.

Paketimi special

Dërgesat EMS, varësisht nga përmbajtja, duhet të kenë paketim të posaçëm:

  • Artikujt prej qelqi ose të thyeshëm – paketim në kuti të fortë me material mbrojtës.
  • Lëngjet dhe substancat e lëngëzuara lehtë – në kontejnerë hermetikë, të vendosur në kuti mbrojtëse me material absorbues.
  • Substancat yndyrore (krem, sapun, etj.) – në paketim shtesë (qese plastike apo kuti), më pas në kuti të fortë.
  • Pluhurat me ngjyrë – në kontejnerë hermetikë, të mbështjellë me material absorbues.
  • Pluhurat pa ngjyrë – në enë të fortë, të mbyllur fort.
  • Artikujt e plotë (druri, metali etj.) nuk kërkojnë paketim të veçantë; adresa e marrësit shënohet në vetë artikullin.