Posta e Kosovës nderon Ditën Botërore të Fotografisë me pulla postare

Posta e Kosovës, sot shënon Ditën Botërore të Fotografisë përmes emisionit të ri të pullave postare.

Fotografia, si disiplinë artistike, por edhe si dukuri e ndriçimit të objekteve, ka preokupuar për dekada krijuesit kosovarë. Që nga çasti kur drita dhe hija filluan të rrëfejnë përmes objektivit, kjo formë shprehjeje u bë mjet dokumentimi, dëshmie dhe interpretimi.

Edhe pse fotografitë e para të qyteteve tona u shkrepën nga vizitorë të huaj si Josef Székely e Auguste Leon, shumë shpejt fotografia u përqafua nga vetë krijuesit vendorë. Ahmet Zherka, me atelienë e tij në Gjakovë, shënon fillesat e këtij zanati në Kosovë. Në Prizren u veçuan familjet Koro dhe Mjeda, ndërsa më gjerë, emri i Marubit mbetet sinonim i pasionit për fotografinë në trevat shqiptare.

Ky brez nismëtarësh e ktheu fotografinë nga mrekulli teknologjike në dëshmitare të kohës, duke na lënë një trashëgimi të çmuar që ruhet sot me përkushtim në Fototekën e Arkivit të Kosovës. Ky trashëgim vizual, i çmuar për nga përmbajtja dhe vlera, dëshmon për rrjedhat kulturore, shoqërore dhe arkitektonike të vendit, gjë që dhe sot paraqet një burim të pashtershëm për studiuesit, artistët dhe publikun e gjerë.

Pamjet e dy pullave postare dhe bllokut filatelik janë siguruar me përkrahjen e Arkivit Qendror pranë Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ndërsa për Zarfin e Ditës së Parë, nga studio Zherka në Gjakovë. Ky emision i pullave postare do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.

Posta e Kosovës fton koleksionistët, bizneset dhe qytetarët t’i blejnë këto pulla, të cilat pasurojnë koleksionet personale dhe ofrojnë vlerë të shtuar kulturore e historike.

Ne vlerësojmë privatësinë tuaj

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj të shfletimit, për të personalizuar përmbajtjen dhe për të analizuar trafikun në faqen tonë. Duke klikuar “Prano”, ju pranoni përdorimin e cookies nga ana jonë.