Historiku i Filatelisë

Nga emisionet e para deri te koleksionet e sotme

Filatelia është veprimtaria e mbledhjes, studimit dhe promovimit të pullave postare, të cilat, përtej funksionit si mjete pagese për shërbimet postare, shndërrohen në dokumente kulturore e historike që pasqyrojnë identitetin, trashëgiminë dhe ngjarjet kryesore të një vendi.

Pullat e para të Postës së Kosovës u emetuan më 15 mars 2000. Emisioni i parë përbëhej nga pesë pulla postare me vlera të ndryshme nominale në marka gjermane (DM), valuta zyrtare e kohës.

Ky emision qëndroi në qarkullim deri më 12 nëntor 2001, kur u lëshua emisioni i dytë, gjithashtu me pesë pulla. Karakteristikë e tij ishte fakti se vlerat ishin shënuar në dy valuta, DM dhe €, për shkak të konvertimit të valutës zyrtare në Kosovë.

Më 15 maj 2002 u lëshua emisioni i tretë, i cili kishte të njëjtat motive si emisioni i dytë, por me vlerat nominale vetëm në euro (€). Ky emision qëndroi në përdorim deri në konsumimin e plotë të tij.

Zhvillimi më i hovshëm i Filatelisë së Kosovës nis në vitin 2004, kur filloi emetimi i një numri më të madh tematikash. Këto u bënë gjithnjë e më të larmishme, duke përfshirë: figura të shquara kombëtare, ngjarje të rëndësishme historike, përvjetorë jubilarë, heronj të kombit, si dhe vlera të artit, sportit e natyrës.

Me këtë zhvillim, Filatelia e Kosovës nisi të konsolidohej si një aktivitet me rëndësi kulturore dhe shtetërore. Momente kyçe në historikun e Filatelisë së Kosovës janë emisionet e veçanta:

  • “7 Marsi – Dita e Mësuesit” (7 mars 2008) – për herë të parë përmbante tekstin “Republika e Kosovës”.
  • “Dita e Pavarësisë” (19 mars 2008) – promovoi shtetin e ri, sovranitetin dhe identitetin e tij.

Këto pulla shënojnë një hap të madh në ndërtimin e identitetit shtetëror dhe kulturor të Kosovës.

Filatelia e Kosovës tek koleksionistët ndërkombëtarë vlerësohet si shërbim korrekt dhe cilësor, ndërkaq blloku filatelik “Mendo gjelbër” ka zënë vendin e pestë në konkursin për pullën më të bukur “WIPA GrandPrix” në vitin 2016, kurse pulla postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë” është përzgjedhur si pulla më përmbajtjesore në botë në konkursin “San Gabriel” në Veronë, po në atë vit.

Filatelia e Postës së Kosovës edhe pse relativisht e re në krahasim me vendet e tjera të rajonit, ka arritur të krijojë një fond të pasur me 302 emisione të pullave postare me 731 pamje, me vlera të ndryshme nominale, të cilat trajtojnë tematika të ndryshme: historinë dhe personalitetet kombëtare, trashëgiminë kulturore dhe monumentet historike, sportin, artin dhe shkencën, florën dhe faunën, bukuritë natyrore të Kosovës.

Përmes emisioneve filatelike, pullat postare të Kosovës bëhen ambasadore të vendit tonë, duke ruajtur kujtesën historike, duke promovuar imazhin e Kosovës në botë dhe duke ofruar për qytetarët, koleksionistët e bizneset një vlerë të çmuar kulturore, identitare dhe promovuese.

 

Posta e Kosovës në kuadër të  përkrahjes së bizneseve vendore lason “Pullën komerciale”.

Ky produkt mundëson promovimin e bizneseve të mesme dhe të vogla që veprojnë në Republikën e Kosovës.

Përmes pullës komerciale, enkas të dizajnuar për konsumatorin, përpos komunikimit me postë tradicionale, prezantohet dhe afirmohet brendi i kompanive të interesuara.

Pulla komerciale mund të përmbajë edhe një pjesë të veprimtarisë së bizneseve të interesuara.

Një mundësi shtesë marketingu për biznese me pullë komerciale.

Informata për porosi

FILATELIA – Posta e Kosovës Sh.A.
Rr. Nëna Terezë, p.n., 12000 Fushë Kosovë
Tel: +383 (0)38 246 770
E-mail: filatelia@postakosoves.com

I nderuar konsumator,
Faleminderit për interesimin tuaj për produktet tona filatelike.

Këtu gjeni mënyrat e porositjes dhe produktet në dispozicion.

Produktet

  • Set komplet
  • Bllok (nëse ekziston për emisionin)
  • ZDP

Si të porosisni

  • Me e-mail: filatelia@postakosoves.com
  • Me letër postare në adresën e Filatelisë
  • Në çdo zyrë të Postës së Kosovës ose personalisht në zyrën e Filatelisë

Pagesa realizohet paraprakisht dhe shënimet bankare dërgohen me e-mail.

Ende nuk pranohen

  • Çeqe, Pagesa online (Credit Card, PayPal)
  • International Reply Coupons
  • Postal Money Order